“Stina e Peste”, Parathenie

Parathënie
Kjo vepër e krijuar në mënyrë kaq të papritur e fare të paqëllimshme nga Aida Dizdari dhe Artan Gj. Hasani është një bisede poetike. Personazhet janë dy poetë bredharakë e eksplorues të hapësirës virtuale, të cilët në zyrën e regjistrimit të popullsisë së internetit figurojnë me emrat whisper dhe bluemoon.
Këta personazhe të trilluar zbarkojnë në një forum letrar dhe e gjejnë frymëzimin tek njëri-tjetri, duke e bërë atë copë hapësire virtuale, ishullthin e tyre qe s’është fare i shkretë. Një publik besnik i mbështet gjithfarësoj e i kërkon, dhe ata i përgjigjen me të gjithë forcën atij, duke u bërë kështu krijuesit e një produkti të shoqërisë online; duke i dhuruar vargjet e tyre shumë më parë se t’i gdhendnin në këtë libër.
Është ambienti virtual i cili shpesh hap më shume dyer se ai real dhe u dhuron një mundësi të shkëlqyer këtyre dy talenteve.
Që në fillim poezia e whisper-it është frymëzim për bluemoon. Ajo i lexon me emocion vargjet e personazhit të panjohur, pa e vrarë mendjen kush fshihet pas tij. Vendos atëherë të lërë një gjurmë të vetes me një koment e prej aty përgjigjja poetike e whisper-it. Nuk ka gjë të veçantë në këtë. Ndodhi ashtu siç ndodh një shkëmbim batutash mes të panjohurish në jetën e vërtetë. Por biseda fillon poetike dhe ngadalë, mes poezish, merr udhën e një trillimi poetik.
Qëllimet e tij bëhen gjithmonë e më të prekshme e të hapura, por bluemoon e tërheq dallgën e vet. Fare thjesht, whisper atëherë falënderon publikun, tashmë një turmë spektatoresh të pasionuar, me një përkulje elegante dhe ul siparin. Gjithçka dukej e përfunduar, kur ajo papritur vendos të rrëmbejë penën
e të shkasë sërish mbi të njëjtën valë të kreshpëruar. E kishte deklaruar që në fillim se kjo ish udha për t’u bërë thjesht një dorë shkumë, megjithatë tashmë kish bërë zgjedhjen e vet. bluemoon dhe whisper nisin atëherë, me të njëjtin ritëm të përbashkët, t’u japin formë takimit të vargjeve të tyre, një surprizë poetike e cila dhuron fjalë që ndjekin lëvizjen e valëve; fjalë që na bëjnë të pluskojmë, na përkundin më parë e më
pas na trullosin, duke lëvizur ndrojtur nganjëherë, e duke u thërrmuar shkëmbinjsh me forcë diku tjetër.
Në historinë e tyre prej të dashuruarish, whisper dhe bluemoon – dy personazhet e përrallës së shkruar nga Artani dhe Aida – shprehin lirshëm ndjeshmërinë e tyre dashurore dhe erotike, pa lënë asnjë shenjë të dukshme. Në të vërtetë ata gdhendin pafundësisht shtratin e detit të tyre duke na dhuruar një
shprehje të re artistike dhe një risi: dialogun poetik, një dialog ky, që prek vetëm për disa çaste bregun e më pas niset në kërkim hapësirash të reja.
Mes vargjesh të shkriftë e të rrjedhshëm, autorët, nuk i lëshohen poezisë së tyre, por i marrin përdore fjalët e i shpien drejt plazhesh të reja, deri sa mbërrijnë në atë që do të jetë dimensioni i personazheve të tyre – stina e pestë – e vetmja që mund të mirëpresë e të mbushë me ajër lidhjen e bluemoon dhe whisper, një lidhje unike, një marrëdhënie pa vend dhe pa kohë.
E nëse poeteve shpesh u ndodh të shkruajnë si pasojë e frymëzimit nga një çfarëkush i jashtëm i cili jo me doemos duhet të kuptojë vargjet e tyre, këtu në stinën e pestë të dialogut poetik, përpjekja për të kuptuar dhe për të interpretuar vargjet e njëri – tjetrit është e ashpër dhe e domosdoshme. Personazhet ushqehen me përgjigjet e njëri – tjetrit. Është e paevitueshme pra për bluemoon dhe whisper të mos bëhen njëri frymëzim i
tjetrit, njëri gjykatës i tjetrit. Ura me dy kahe është ndërtuar tashmë që ata të drejtojnë e të
mësojnë njëri – tjetrin, duke braktisur çdo pretendim mbi stilin apo formën personale të të shkruarit, për t’ia dhuruar vargjet e reja veprës që po krijojnë. Ata anullojnë vetveten poetikisht në shërbim të së përbashkëtës, pikërisht si një valë që pushon së qeni e tillë për t’iu dhuruar detit.
Pikërisht këtu qëndron dhe risia e kësaj poezie: forma dhe stili i poetit përzihet me formën dhe stilin e poetes, si në takimin mes dy trupash; përgjigjja e njërit vjen si pasojë e asaj çka beson se ka kuptuar prej qëllimeve të tjetrës, në një magji që rri pezull mes sigurisë e pasigurisë, një lojë bashkëpunimi që lëshohet mbi letër me penelata të dukshme por që qëllimisht na vështrojnë pas një veli. E gjitha kjo mundësohet nga interneti, që i peshkoi këto dy talente në det të hapur e i solli deri këtu në bregun tonë, mes këtyre fletëve.
Roberta Giallorenzi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: