Stina e Peste – Pjesa e dyte

43
bluemoon:
Ah! lozonjar mendon se më mbërtheve?
Në brigje të mia dallgët rrahin fort…
Më mban gjallë gjithmonë poezia,
ndryshe udhës s’do të ecja dot…
Nuk ka rëndësi parajsa në vetvete…
rëndësi ka rruga që shpie atje…
… mendo sa e ëmbël është djersa e ethja,
kur ecën drejt asaj që shpirti me ankth pret…
44
whisper:
Mëngjeseve si ky parajsat lehtësisht preken…
dhe detet… oqeanet… nuk të pengojnë dot…
po vallë përse parajsat gjithmonë na ngjajnë me një ishull
herë me dete lagur… e herë veç me një lot…?
Por ka edhe mbrëmje kur një ëndërr e lumtur
ashtu siç të vë aq lehtë në gjumë…
parajsën si një poezi ta sjell te koka e bukur…
të troket qepallave dhe të thotë “Jam unë!”…
Por ka edhe zgjime… përgjumjesh turbulluar…
kur ëndrrën ta shqyejnë demonë të zinj
dhe dita të duket si mike e paftuar…
dhe ti si mikpritësi që më nuk ka shtëpi…

45
bluemoon:
Vërtet… mbrëmjesh e zgjimesh
jam dergjur shpesh dhe unë…
mbërthyer shtatit zinxhirët
e netëve të gjata pa gjumë…
Ishujt ato kohë duken aroma
e qiejve lart, e parajsës…
… e detet që i lagin,
përkundër janë shpesh vrasës…
S’më habit që loti,
shket i pabindur atëherë…
… zhgënjimi është i pashpirt,
kur mirazhi tretet në erë…
Po jemi kaq të bukur…
… jemi një mrekulli…
… nuk jepemi kurrë
e atëherë për çudi,
kur nuk e presim fare
rrezen e ngrohtë të diellit,
ja… si avuj të bardhë,
prapë i qepemi qiellit…

46
whisper:
Ishuj pa dete nuk mund të ketë kurrë
dhe detet pa lundrimin kuptim nuk kanë…
dhe… dallgët… stuhitë… pritja… shtërngata…
dallojnë lundërtarin nga një udhëtar…
Po ç’faj kanë detet që rrahin ishullin
kur anija brigjeve afrohet tunduar…?
Shpesh ishujt janë tërheqës veç nga larg
ndaj nga larg shikoji dhe ik duke i admiruar…
(Më flet për zhgënjimet… ah… zhgënjimet…
E cili nga ne nuk i provoi?
Mirazhin që iu shfaq nga etja e gjatë
rërë e shkretëtirës aq lehtë ia qartësoi…)

47
bluemoon:
A thua?
Të jetë kështu vallë?
Parajsëzat që shquaj, t’i quaj veç përrallë?
(Ç’kuptim ka lulja,
kur vetëm e vështron?
S’është veç një grusht petlash…
… është një det aromë…)

48
whisper:
Parajsë… parajsë thua
dhe fluturimin drejt meje e merr?
…………………………………………….
(kur ti të kesh arritur te unë
mund të jem ndoshta edhe ferr…)
E pastaj nuk do të ketë më vlerë
“fajtorin” mes lotësh të kërkosh…
dhe parajsën që humbe këtë herë
mes ferrit tim ta fajësosh…
(ky është kuptimi i lules
që jo gjithmonë duhet këputur…
aromë ndër gishta e tretur…
parajsë në kafaz ferri… futur.)
49
bluemoon:
Shpirti nuk dhemb se ka këputur lule ferri,
e dhembja është e jetës, e loti po ashtu,
na bën ta ndiejmë aromën thellë e ashtu mes atij terri
kujtohemi se kemi qenë të lumtur, dikur… diku…
Askush s’luan me ne mik i shtrenjtë…
… viktima s’jemi asnjëherë…
… në fund të shpirtit e dimë mirë
ç’është parajsë e ç’është ferr…
Po nganjëherë dehur si jemi,
të ngazëllyer për një çast të dlirë,
përkulemi si fije bari
e sytë i mbyllim me dëshirë…
Atëherë vërtet është e kotë,
siç thua, “fajtorin” të kërkosh me ngulm…
… gjithmonë për agoninë time,
lumturisht fajtore jam veç unë…
(E faj nuk mund të quhet etja
e uria për dashuri,
të gjithë endemi në tokë kështu,
e meritojmë një copë lumturi…
… qoftë një çast a qoftë një jetë,
rëndësi ka ta ndjesh jetën në vena,
se është e shkurtër e shkon kaq shpejt…
… në një natë lind e perëndon hëna…)

50
whisper:
E përse vallë çastet e dlira…
e fjalën “të dua” shqiptojmë
veç kur nën efektin e dehjes magjike
qepallat e syve na rëndojnë…?
E përse vallë ndodhka kështu
që njerëzit dashurojnë veç kur janë të dehur
nga ethet paralizuese tundimplotë
të një çasti viteve të pritjes fshehur…?
Vallë kaq e pamundur qenka
që krijesa me emrin njeri
të dashurojë e ta dashurojnë
dhe esëll të mbetet përsëri…?

51
bluemoon:
Ah, këtu lejomë të të ndaloj…
… jo të gjitha dashuritë janë njësoj…
… ashtu si nuancat e gjetheve në prag të vjeshtës,
pafundësisë kacavirren dhe ngjyrat e ndjenjës…

52
bluemoon:
Veshur me ëndje të dikurshme
sot rrëkëllej gotën e verës,
trishtimi le lotin të rrjedhë pastër:
i heshtur bredh zemrës…
… jam lodhur udhësh të gjata
e kërkimi im është një rreth në ujë,
ashtu si gjurma ime e buzët e qashtra
përpëlitja vjen, dhe etja e huaj…
… ishe, dikur e diku
sot jam vetëm me veten time…
… vlen përkëdhelja sa një pikë shi…
pëshpërima s’ka jeh… jashtë dridhem…
53
whisper:
Ujrat e kristalta përjetësisht derdhur…
prej shekujsh nuk mbarohet udha e nisur…
të vjetrit gurë duke përkëdhelur…
guriçkat e reja… tallur… rrokullisur…
…………………………………………………..
një çast shfaqen mbi valët si diamantë të praruar….
më pas… ndonjë moçali ujëndenjur harruar…

54
bluemoon:
E sikur gurët e vjetër
të kishin qenë të rinj më parë,
do ishin prehur patjetër në ndonjë moçal…
Të jetë vetëm çështje vitesh kjo ikje?
A mos gurët që mbetën kanë qenë me të rëndë?
Se ca gurë të vjetër u bënë thërrime…
55
whisper:
Kështu janë lumenjtë të gjithë…
guriçka në sipërfaqe… në thellësi gurë…
dikush etjen shuan në ujrat e pafajshme…
një tjetër mbi ujrat symbyllur thjeshtë… pshurr….
Nuk është faji i rrjedhjes… as i valëve faj…
as faji i gurëve domosdo…
por nëse notar nuk bëhesh dot…
nga larg kundroje dhe i heshtur shko…
56
bluemoon:
E di si është kjo punë miku im,
si puna e lules që s’rrimë pa e këputur,
se ta kundrosh thjesht, nuk është e lehtë…
… kemi të gjithë nga një sy të mbyllur,
e nganjëherë bëhemi të gjithë të leshtë…
(Shpesh dyshoj në fjalën time,
mos rrjedhja më verbon ndonjëherë,
shoh kaq pak ngjyra e shpesh me to
më thotë mendja të bëj tablo…)

57
whisper:
Të bësh tablo me një ngjyrë të vetme…
telajos së nxirosur të duash t’i japësh dritë…
e dritë nuk ka… mungon e bardha…
e ngjyrat e tjera vizatojnë veç frikë…
E bukur nuk do dalë sigurisht tabloja…
por do e duash edhe pse nxirosur…
veç ti dhe askush tjetër do ta dijë
që mes të zezës e bardha jote
përjetësisht është varrosur…

58
bluemoon:
E varrosur?
Po tash ktheva…
… se shiu vazhdon brenda të më shkasë
e dikush brenda meje përpëlitet…
do të flasë…

59
whisper:
Ështe shiu brenda të cilit ke mbetur
dhe zërin që do të flasë e përmbyt,
apo djersë e shpirtit të etur
që etjen atij zëri ia rrit?
Vallë nuk është shi e as djersë…
Vallë nuk është përmbytje e as etje…
Ndoshta është thjesht një pikë vesë
që mëngjeseve nganjëherë përmbyt edhe dete.

60
bluemoon:
Bulëzat e mia janë të vogla
e dete nuk kanë shembur ndonjëherë.
Trumcak më duket më shumë vetja
“çip-çip” kur bën mbi ndonjë pemë…

61
whisper:
Bulëzat e së kristaltës vesës tënde
Mbi gjethëz a myshqe dikur
Edhe dete mund të ketë shembur…
Por ndoshta ti s’e mësove kurrë…
Se nganjëherë mbi përmbytjet pa emër
Më shumë gjëra mund të na thotë një trumcak
Se sa dallgët e fuqishme që ikën
Dhe siç ikën, nesër mund të vijnë prapë…
Ndaj më mirë “çip-çip” në ndonjë pemë…
Se sa pushues i lodhur mbi një rrënjë…

62
bluemoon:
Vërtet, se kur pushuesit të lodhur t’i zbresë qielli mbi krye
dhe retë t’i bëhen mburojë
prej diçkasë më të lagësht,
prej gjësë më të ftohtë…
… e gishtërinjtë t’i zhyten në ëndrra fëmijërie
do të kujtohet atëherë
se kur ëndrra zhbëhet
e bora bie
s’ka gjë ta çjerrë…
(Natë e rrudhosur
në palët e tua fshihen qiparisa,
kryet u fëshfërijne e si gisht
turbullojnë yjet e brishta.
Me ajrin më ngatërrohet esenca
si notat e melodisë të një muzikanti harruar…
… nën tymin e cigares shoh veshtullore veten
me gishtërinjtë përskuqur në gjak
e befas sonte,
s’di pse,
nuk ndihem as trumcak…)

63
whisper:
Të gjithë jemi nota të harruara
të një melodie që si tym cigareje shkoi
lart në qiejt ku me gërma të praruara
një zogth krahëthyer cicërimat e tij shkroi…
Të mos ndjehesh zogth nuk është kushedi…
nganjëherë qiellin e humbasim nëpër natë…
por të paktën bëju cicërimë e kësaj mbrëmjeje ti
dhe unë vesh’ i hënës atje lart…
Se nesër një mëngjes i ri vjen
pas natës plot heshtje mbuluar
dhe ty ndoshta zogth përsëri të gjen
në qiellin tim pafund kaltëruar…

64
bluemoon:
Hmmm… meqë po flasim për rrahjen e krahëve:
të lehta duken shpesh fluturimet…
… po nganjëherë përplas këmbën e shfryj plot maraz,
se di të fluturoj brenda botës sime të vjetër,
po në mendjet e të tjerëve gazi është tjetër gaz,
e loti është krejt tjetër…
… Mik, në një univers të ri me ngjyrat e një tjetri
vështirë të fluturosh si tek ai i vjetri…

65
whisper:
E di… e di… i vështirë është fluturimi
kur universet ndahen në të “vjetër” dhe të “ri”,
por diçka ndryshe më thotë harlekini
harmonishëm veshur “bardhë e zi”…
Pra bëju dhe ti harlekine
dhe universin tënd bëje ngjyrë gri
në flatrat e tua dyngjyrëshe
herë unë i bardhë… e herë ai i zi…

66
bluemoon:
Harlekinët janë specie të rralla
e të vishesh me dy ngjyra është vështirë,
të buzëqeshesh siç e do radha…
… ndaj shpesh thjesht zgjedhim, ç’na duket,
ngjyra më e mirë…
… ndaj shpesh s’e njohim as grinë…

***

Ah, një kërkesë, miku im…
… ma nis të fundit poezi që ke shkruar…
… t’i njoh dua valët ku tani eglendisesh,
tallazet që të mbajnë zgjuar!

67
whisper:
Eh tallazet… dhe tundueset valë…
pa fund ato… pafund edhe lundrimi…
më eglendis e panjohura pa fund…
më qetëson aq shumë shqetësimi…
Të papritura plot e ngjyra plot…
Ku fillon qetësia dhe shqetësimi im?
Tallazeve që si ylber harkohen mbi një lot
edhe deti më duket harlekin…
Poezinë e fundit e kam shkruar…
por çuditërisht i kanë humbur vargjet…
ndoshta i gjen te lulja e harbuar…
ndoshta te këpucët që shkelin pragjet…

68
bluemoon:
Do t’i kërkoj deri në fund
vargjet e poezisë së harruar…
… me erën e detit dhe të kripës
mbi shkëmb, ku rreh një valë harbuar…
Do t’i kërkoj atje ku ti i le,
tek rrezja e këputur, tek lulja e harlisur…
… mbi fijen e barit ku ra pika e vesës…
… mik, do t’i kërkoj në qiellin e qëndisur…
Do t’i kërkoj vargjet e tua,
e në kërkim çdo prag do shkel,
me ethe do vështroj çdo gjurmë,
furishëm do trokas çdo derë…
E kur e lodhur nga ti do të kthehem,
dhe e zhgënjyer do të të them: “S’i gjeta miku im!”,
sigurisht do qeshësh ti me mua e do më thuash:
“Në shpirt e kam unë, mike, poezinë!”
69
whisper:
Eh… e di që dot nuk do i gjesh…
të miat vargje… mos i kërko mes dlirësisë,
se poezitë që heshturazi rënkohen…
nuk janë çarçaf i përgjakur i virgjërisë…
Vërtetë në të bukura kohëra u shkruan…
por tani s’mbaj mend…
kur mbaroi… kur nisi…?
spërkatur me vesën e lotëve të tua
sa herë vështrimi im qiejt qëndisi…
Eja… mos ki frikë… hapat e tua m’i fal…
dritë nuk kam… por errësira nuk është shëmti…
dhe para honeve të shpirtit tim mos u ndal,
qe të mos pengohesh do ndez të fundit poezi…
Ndaj guxo dhe bëju edhe ti si unë…
nëse dru të shtrembër turma do të të quajë sot…
nesër vargjet për ty do derdhen lumë…
për ty që në stivë askush s’të vuri dot……

70
bluemoon:
Ah, ti më mendon të brishtë,
rrudhur e frikur porsi nje algë…
… vallë përkundjen time në fund të detit
e lexon veç me një fjalë?
… honesh më fton e sikur botën,
më sfidon të të ndjek me vrap…
Afrohu pak të të pëshpëris
një hap, një gjurmë e një pikë gjak…

Territ shpesh i jam afruar
e në të jam kredhur me dëshirë…
… po sa shpesh më ka shtyrë tutje!…
Terri ç’e do një copë errësirë?!

Ah, ti më mendon të brishtë…
Ashtu jam, po s’frikem ndonjëherë
e një magjepsje më mjafton
krahëhapur të lëshohem në humnerë…

Ndize tani poezinë e fundit
ta thith si vesën përmbi buzë,
po nuk t’i fal unë dot ty hapat,
s’kam për t’ia falur ndokujt, kurrë…

71
whisper:
Ah ti… e magjepsura ime drithëruese
terreve të humnertë lëshuar me dëshirë
fluturo padukshëm mes vargjeve të mia
e heshtur si nata që tretet në errësirë…
Atëherë rrathët mavi nën sytë e tu
në manushaqe do shndrrohen aq qetë
ndërsa poezia ime si vesë mëngjeseve do spërkasë
hapin që m’ke falur pa e ditur as vetë…

72
bluemoon:
S’e di në hapin tim ta fala unë,
apo ti më ndoqe pas me dëshirë…
… ndoshta të dy bënim të njëjtën udhë,
e hapat u ngatërruan në errësirë…
73
whisper:
Të jemi vallë skllevër të hapave
apo hapat na binden verbërisht,
këtë nuk e mësoi kurrë askush…
as udha ku ecim bashkarisht…
… dhe kështu udhëtarë… të dy udhëtarë…
udhës ku drit’ e diellit rrallë bie…
dy hapat tanë… puthjesh ngatërruar…
nën dritë të hënës lënë pas veç një hije…
(në atë udhë mund të na ndjekin dhe të tjerë…
që hapat ngatërruar pas gjurmëve tona kanë…
të mbërdhirë në shi dhe në erë…
të ngrohen sot aty ku dje diejt ranë…)

74
bluemoon:
Të vijnë, ja ku e hapa zemrën…
… gjurmësh të ftohta, dimri në i ka marrë,
nëse nuk e kanë parë kurrë verën:
më mirë një diell i rënë sesa i tharë!
(Po siluetën time dikur zura nga flokët
si rrëke e bindur më mos të më ndjekë,
në do të jetë gjithmonë me mua,
duhet të gjejë udhën e vet.
Pa le t’i ngatërrojë hapat,
le të hidhet në humnerë,
dimri ta thajë deri në kocka,
pa le të mbetet dhe pa diell!)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: