Stina e peste – Pjesa e pare

10
whisper:

Përgjysëm…
Nisi në det…
vazhdoi në qiell…
dhe mbaroi në shpirtin tënd
si një përrallë përgjysëm
rrëfyer…
………………………..
dallgë dhe stuhi
me heshtjen këmbyer…
gjysma tjetër…
e shkruar me hi…

11
bluemoon:
“gysma tjetër
e shkruar me hi”

Nuk e di se ç’më frymëzon njëlloj vdekjeje
të brendshme… që pararend vdekjen e trupit…

12
whisper:
Tragjikisht prej… rëre
Me hirin e shpirtit të tij
formën e zemrës tënde vizatoi…
mes rërës së braktisur
erdhi…
pa…
shkoi…
13
bluemoon:
… e meqë prej lëndës së tij më qe gatuar zemra,
u vërvita me kokrrizat e rërës në ndjekje…
por ashtu si gjethet që i shpërndan era
ashtu u theva në njëmijë copa zemre…

14
whisper:


Pëshpërimë e vonuar…
Afroje veshin tënd të vockël…
E ndjen…?
E dëgjon…?
Si fllad vjen…
si puhizë shkon…
në bllokun e poetit
pëshpërimë e vonuar…
gjethesh mbuluar…
stinët ngatërron.
15
bluemoon:
Ja ku e ndjeva pëshpërimën,
ëmbël erdhi këtë herë…
… flladi, era, stuhia e bregut,
ç’vlerë kanë kur s’ka poet?
Le t’i ngatërrojë stinët,
le të shkruajë vonë në bllok,
frymën prej gjoksit ia ndjeva sonte:
e këngës qe më e ëmbla notë…
(E gjethet dije! do t’i shpupuris,
se gjumin s’e kam honepsur ndonjëherë,
mjalti të të rrjedhë zemre…
të tjerat s’kanë vlerë…)

16
whisper:
Më mirë
Nganjëherë mjafton veç pëshpërima
dhe një vesh i etur tek e dëgjon…
nganjëherë të mos e dish është më mirë…
flladi magjik nga ku buron…
……………………………
(kur ujin pi në burim
kjo gojë e plasur… e etur…
vallë sjell ndërmend në atë cast
dëborën e pashkrirë maleve mbetur…?)
17
bluemoon
Eh, duhet të marr një gjethe
një emër mbi të, të shkruaj,
ta lëshoj ajrit të ngrohtë,
erës le t’ia lë në duar…
……………………………
(Se një valë kur e puth bregun,
ky i fundit e di mirë,
mijra valë më pas do derdhen…
thuaj… të ketë vallë dëshirë?)

18
whisper:
Je baticë apo zbaticë…?
Shkumë e veshur si pulëbardhë…?
Gjurmë që la një magjistricë
aty ku bregu puth një valë…?
Brigjet janë ashtu si… brigjet…
edhe vala është… valë…
unë gjithmonë i humbas shtigjet…
kur busull kam një gjethe me… fjalë…

19
bluemoon:
Ndalem një çast të marr frymë,
e të mendoj për veten time…
e vërtetë, jam një copë shkumë…
… vala derdhet… shpesh tërhiqet…
Po kur brigjet nisin veshin
këngë sirenash, të qashtra…
edhe valet që tërhiqen…
nganjëherë rrëmbejnë guacka…

20
whisper:
… dhe ashtu guackëhumbur
si do dukej para valës…
bregu krenar që u mburrej
shkumës… dallgës dhe pulëbardhës…?
Çdo të thonin valët e tjera
kur ta shihnin guackëhumbur…?
Do e braktisnin shkretëtirazi…
e do thonin… “ish i bukur…”
(Bregun valët e bëjnë breg
dhe një e vetme nuk mjafton…
pyet pulëbardhat kureshtare
nëse mua s’më beson…)

21
bluemoon:
… do të dukej madhështor
edhe pa guacka bregu…
Guackat i përkasin detit
dhe pse rërë e tij i preku…
Le të jenë ngjyra – ngjyra,
ato janë kujtim i vdekjes,
që valët e ndiejnë në buzë,
teksa i largohen prehjes…
Të krenohet breg i bardhë,
se ai është ëndërra e fundme,
tek ai valë edhe dallgë,
lënë shpirt me copëra shkume…
… ndaj dhe vijnë me dëshirë,
të thërrmohen në një breg…
Veç aty ka secila emër,
veç aty nuk quhet det.
(Bregun valët s’e bëjnë breg,
veç i japin formë tjetër…
… se dhe shekuj pasi kanë shkuar…
stoik mbetet bregu i vjetër…)
22
whisper:
Copëra shkume mbuluar…
bregu mendueshëm pyet veten
“Përse gjithmonë leshterikë
aty ku ishin guackat mbeten…?”

23
bluemoon:
Se dhe valëzat diç e sjellin,
shpesh guacka e alga nganjëherë,
kujto në fund të detit ku lind vala,
algat janë lule e pemë…

24
whisper:
Në fund të detit edhe unë jam rërë
ose shkëmb me gjelbërim mbuluar,
por nën diell jam breg i tërë
nga pemët e algave i harruar…

25
bluemoon:
E pra është koha të zgjohesh,
të kujtosh sado vështirë,
mos e lër diellin të të thekë,
një breg i tillë s’është më i dlirë…

26
whisper:
Ky breg fatkeq nuk është më i imi
por i një vale që erdhi… iku… shkoi…
i një vale që ah sa gabimisht e dinte
që të gjithë brigjet janë njësoj…
Më pas të tjera valë, e di ,
do bien mbi bregun plot shkumë
do mendojnë për një çast që më mposhtën përsëri,
por ai breg nuk do të jem më unë…

27
bluemoon:
Oh!… sa turp që u trishtova papritur…
e nuk i ngrita sytë të shihja bregun e një vale,
të mblidhej si një fjongo shkume vezulluese,
e lart të fluturonte me krahë pulëbardhe…
Vërtet, njëherë të vetme ndodh në jetë,
të jemi një perlëz shiu mbi një fije bar…
Megjithëse, në botë, qielli derdh shpesh ujin,
e fytyra e tokës është një livadh…
(E ke ndjerë ndonjëherë prekjen e erës,
pushtimin e saj të paturpshëm të ka qëlluar
ta ndjesh në gjoks sa të të ngrijë zemra?
Mornica trupit atëherë a të kanë shkuar?
Mbaj mend këtë disa herë të jetës sime,
kur kruspullosur më mbulonte bora,
e teksa rrahja e fundit ngrinte, mendoja:
“Ç’të bëj me këto këmbë të ftohta!”)

28
whisper:
flirt astrologjik
Qiejt, retë, yjet dhe hënat,
blu, të bardhë e të kaltër pafund
ia prishën qetësinë ëndrrës
që gjumit ia rrëmbeva me aq mund…
Tashmë ëndrra nuk është më ëndërr
ndriçuar netëve veç nga sytë e tu…
mes reve të vetmuara në qiellin e kaltër
ndriçon edhe një hënë e zbehtë ngjyrë blu…
(Kur rend pas të pamundurës
pritja e së papriturës vallë a ka më vlerë…,
kur ëndrrën time të mundimshme
e shohin aq lehtësisht edhe të tjerë ?)
29
bluemoon:
Shpesh, ndër ëndrra, klith me pulëbardhat
e ndiej me to erën e kripur të detit,
hënës i leh si qen i etur për dritë,
një gjysmëvampir harruar kujtimesh të diellit.
Përgjakur siç jam, humb ajo lloj zbehtie
që e bën hënën, hënë e natën, blu…
perëndimesh të ethshme, zinxhirësh vetmie
dorëzuar prehem diku…
(Vlera është relative miku im…
Nganjëherë e papritura
mund të vijë me të tillë gishta
sa ia vlen të paguash çdo çmim)

30
whisper:
“Çdo gjë ka një çmim”, thotë një mikja ime…
dhe ti më thua që “ta paguaj”… se ia vlen,
por kur kështjellat bëhen thërrime
në vend të “çmim” fjala “kosto” ndërmend më vjen…
31
bluemoon
Ashtu ndër gurë e ndër rrënoja
humbjet duken të mëdha,
atëherë vërtet të dhemb gjaku e mishi.
Po shërim gjithnjë ka…
Të bie si vesë,
balsam nëpër plagë…
do harrosh atëherë ti kosto e çmime…
… si i çmendur do dashurosh prapë…

32
whisper:
Të dashurosh prapë… prapë…
fjalës “të dua” t’i japësh përsëri tingëllim…
puhizën çmendurisht të ndjekësh me vrap…
një të panjohure t’i pëshpëritësh “shpirti im”…
Por muzgut… muzgut çfarë t’i them, e panjohura ime?
Çfarë t’i them atij që më njeh aq mirë…?
Atij që zemrën ma bën thërrime
sa herë që dikujt i them lamtumirë…
Ai që nga dashuria e vjetër me një dashuri të re shpëton,
gabohet… gabohet… më shumë do të lëndohet
kur plagën e vjetër me një plagë të re mjekon…

33
bluemoon:
Hmmmm… është e thënë të thyhemi…
se një grusht momentesh mbetet kjo jetë…
po kapi, mbërtheji shtrëngoji për fyti…
… jetoji me frymë… se çasti s’të pret…
34
whisper:
Nëse çastin që s’pret do ta falja ty,
do e bëje dot ditë… javë… muaj… do e bëje vallë…?
Apo çast do e mbaje… feksje plot dritë…
kometë që planetin tim e viziton aq rrallë…?

35
bluemoon:
Ah, jo mua… unë jam tjetërkund…
… pastaj unë vij e shkoj me erën…
… kam shpirt të trazuar, mendje të sëmurë…
… një trup të dobët që s’mban dot as veten…
Nisu bashkë me një tufë gjethe…
të kërkosh kë vlen të duhet vërtet…
mos harro… me shkulme zemre…
… një yll… diku… sigurisht po të pret…

36
whisper:
Ah sa keq… u ngute… e panjohura ime…
(sigurisht e njohura e dikujt tjetërkund…)
flirtin poetik prozaikisht e bëre thërrime…
kënaqësisë së lexuesve kaq shpejt i dhe fund…
Veç një çast, për një çast aq poetikisht të fala…
dhe papritmas u ndjeve e dobët… e sëmurë…
… na ishte dikush që u hoq si vala…
… na ishte dikush që padashje u bë shkumë…
Faleminderit ti poete shpirtdallgëzuar…
faleminderit dhe ju miq lexues me dashuri…
faleminderit dhe ti e dashura ime e duruar…
faleminderit që më dhatë aq shumë kënaqësi…

37
bluemoon:
Flirti mbetet shkumë mik i dashur,
e shkuma është e thënë të bëhet thërrime…
… s’kam mbyllur ndonjëherë dyer në jetë…
… s’do jetë ky fillimi…
Them… nuk i njeh vallë nuancat?
Tingujve do t’u japësh patjetër një emër?
… s’të ka thënë kush se s’thuhet me fjalë
ajo që rritet në zemër?
… ndali lamtumirat fëminore, pëshpërimë e brishtë…
… falenderimet s’kanë vlerë…
Nuk është mjeshtëri të derdhësh një lot…
… e kanë bërë më parë dhe të tjerë…
… magjia e tingullit nuk matet me emra…
… skemat nuk thonë kurrë asgjë…
… katër stinë kot s’i ka bota…
… pse e vesh zemrën tënde veç me një?
Unë luaj me veten lojra të magjishme…
… nganjëherë bëhem valë e thërrmohem në shkumë…
… po udhën ia hap me dëshirë çdo stine…
Ç’do të isha ndryshe? Ç’do mbetesh te unë?
(E dije se magjepsja nuk ka veç një formë?
Se heshtjet nganjëherë flasin më tepër?
Se vetja e re i ngjan gjithmonë vetes së vjetër?)
38
whisper:
Katër stinë vërtet i ka bota,
por për mua veç njëra ka vlerë…
Di gjë për stinën e pestë e panjohura ime?
Nëse jo… s’ka gjë… s’e kanë ditur dhe të tjerë…
Në atë stinë që ndoshta ti s’e di…
tingulli është heshtje… e loti s’është lot…
në pasqyrat e saj ti nuk mund të jesh më ti
dhe Ai lart në qiell aty nuk është më zot…
Lakuriqësinë mos e fshih pas stinëve që di
dhe veten e re mos e mbulo me një të vjetër…
atëherë do kuptosh ç’do të thotë “magji”
kur brenda teje të zbulosh një stinë tjetër…
E di sa e vështirë është… e di…
dyert që s’mbyllen vazhdimisht përplasen…
ndaj më mirë mbylli të gjitha dyert ti…
por mos harro… lëre hapur dritaren…

39
bluemoon:
Oh, ti mendon se më ka pushtuar errësira…
E unë të them se zhytur jam në një hon!
Nuk jam cektinë e lënë nga zbatica
e gjumi mua lehtë s’më pushton.
Nuk jam e zonja të fsheh mirë
bulëzimat e ujit në lëvore të pemës,
pulsimin e jetës e ndiej në kocka…
E pres unë akoma ardhjen e verës…
… se nuk njoh stinë më të mirë…
… dhe prekja e verës më zgjat veç një çast…
pastaj përdridhem në krahët e një kohe
që s’është veç një natë polare… e gjatë…
(Kur të flisja për mendje të sëmurë,
e një shpirt të trazuar që derdhet me dallgë…
… desha të të them se vërtet jam vullkan
e kush dreqin ushqehet ndonjëherë me llavë?
Dyert përplasen si gjithmonë…
po tingulli i tyre s’është asnjëherë i thatë…
… në dritaren time dikur u preh një zog…
… pastaj s’di ku më humbi nëpër natë…
Unë që u linda me erën e kripës,
që retë i tërhoqa vetë prej flokësh,
udhësh të shtrembra jam endur… dhe sot…
sot… lehtë mund të shkruaj fundin e kohës)

40
whisper:
Zogut që të humbi asaj nate pa emër
lumturinë uroji kur kokën në jastëk vë…
dhe kudo që të jetë pranë të ketë një zemër…
e jo si Korbi i Poes… mbi derë… “Kurrë më!”…
Se zogjtë kështu e kanë… lirinë shumë e duan…
pëllëmbën e hapur si kafaz më mirë…
nëse një ditë ikën e larg fluturuan…
mos i pengo… por uroju veç fat të mirë…

41
bluemoon:
Zogjtë e mi i kam nisur të tërë,
fluturimesh është bukur t’i vështrosh…
… një fije drite jemi, një shkëndijë…
… shpreso të dish ta dhurosh…
(E mos mendo se kam shije të hidhur,
në buzë, në gjuhë a në zemër…
… oh… unë i adhuroj fluturimet…
… siç dashuroj nuancat pa emër…)

42
whisper:
Nganjëherë më mirë një pikëpyetje… e bukur
se sa “e njohura” që shpesh del e panjohur…
më mirë një det plot Itaka enigmatike…
sesa një Itakë nga një det i vetëm njomur…
Nganjëherë më mirë një pikëpyetje… e bukur
se sa “e njohura” plot siguri…
… shumë vlen një parajsë e humbur…
por më shumë parajsa që kërkove e s’gjete ti…

2 Koment (+add tuajt?)

  1. ledias
    Maj 12, 2009 @ 14:12:36

    dueti me i bukur qe kam lexuar ndonjehere…

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: