Terbim e qetesi

Me vlojne sot
terbimi dhe qetesia…
Mberthimet e te dyjave jane te etheshme,
te frikshme…

Terbimi,
ky krimb
qe vjen duke u rritur,
qe zemren ma ka thare,
shpirtin ma ka sfilitur,
mendjen ma ka perpire
e çoroditur…
…me shkumezon,
si lume qe rrjedh rrembyer,
e me vlon,
duke me gurgulluar…

Pastaj bie ngadale…
e vjen qetesia,
ne pamje melhem per trazimet e mia.
Stuhia mbaron,
po zbret nje si vdekje tek une,
nje vale gjaku e ftohte me mbulon…
Ndjehem pafryme,
e pakallur,
gjakmpiksur,
thare e kalbur.

Perhumbur tek rri,
e shperndare,
brenda me hapet si hon,
dija per terbimin qe kam,
e qetesine qe me tmerron…

© Aida Dizdari, 2002

Bora i zbukuron qytetet e varfëra…

Bora i zbukuron qytetet e varfëra…
…i vesh njësoj
çatitë e kuqe,
të murrmet e të munguarat…
…kopshtet e rregulluara
të moteleve të lira,
oborret e zhveshura,
arat e djerra,
sheshet industriale,
shkurret, pemët e prera,
varrezat e makinave,
mejhanet e karburantet…
Bora i zbukuron qytetet e mjera
aty ku skamja e rrjepja
s’janë afreske në rrezik zhdukjeje,
po pjesë e pamunguar në çdo tryezë
e punë në progress…

© Aida Dizdari, 2013

Birit tim…

Ti je sythi i vogël në prag dimri,
si çengeli ku mbërthehet stina e ngrohtë,
kujtimi i shumëngjyrshëm i ylberit,
rrezja e ngrohte nga barku i diellit.

© Aida Dizdari, 2012